KontaktTransportiKthimet dhe ndërrimetKushtet e shërbimitPrivatësiaRreth nesh

Politika e rimbursimit

Politika e kthimit, rimbursimit dhe garancisë

Kjo politikë vlen për blerjet e bëra në dartech-ks.com nga konsumatorët. Ajo zbatohet në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe nuk i kufizon të drejtat që ju jep ligji. Kur ligji ju jep më shumë të drejta se kjo politikë, vlen ligji.

1. E drejta për të hequr dorë nga blerja (14 ditë)

Keni të drejtë të hiqni dorë nga blerja brenda 14 ditëve kalendarike nga dita kur ju ose një person i caktuar nga ju e pranon produktin, pa pasur nevojë të jepni arsye. Nëse një porosi me disa produkte dorëzohet në ditë të ndryshme, afati fillon nga dita kur pranoni produktin e fundit.

2. Si ta ktheni produktin – hap pas hapi

  1. Na njoftoni brenda 14 ditëve. Dërgoni email në online@dartech-ks.com ose mesazh në WhatsApp +383 48 74 68 68 me: numrin e porosisë, emrin tuaj, produktin që ktheni. Mund të përdorni formularin në fund të kësaj politike, por nuk është i detyrueshëm; mjafton çdo deklaratë e qartë.
  2. Merrni konfirmimin. Brenda 1 dite pune ju konfirmojmë kërkesën dhe ju dërgojmë adresën për kthim dhe udhëzimet.
  3. Paketojeni produktin. Vendosni produktin bashkë me të gjitha pjesët, aksesorët, kabllot, manualet, fletën e garancisë dhe dhuratat që keni marrë me të. Paketojeni mirë që të mos dëmtohet gjatë transportit. Brenda paketës vendosni një letër me numrin e porosisë.
  4. Dërgojeni me postë brenda 14 ditëve nga njoftimi, me Postën e Kosovës ose me çdo kompani postare/korrier, në adresën:
    New Dartech Holding SH.P.K – Kthime, Flaka e Janarit nr. 1, 10000 Prishtinë, Kosovë.
    Ruani dëftesën e dërgimit dhe numrin e gjurmimit. Mos e dërgoni pakon me "pagesë në pranim", sepse pakot e tilla nuk pranohen.
  5. Ne e pranojmë dhe e verifikojmë produktin brenda 2 ditëve pune nga pranimi: kontrollojmë që produkti dhe numri serik përputhen me porosinë dhe që janë kthyer të gjitha pjesët.
  6. Ju kthejmë paratë me transfer bankar. Pas verifikimit ju kërkojmë (ose ju na dërgoni që në njoftim): emrin dhe mbiemrin e mbajtësit të llogarisë, emrin e bankës dhe IBAN-in. Transferi bëhet pa tarifë për ju.

3. Afati dhe shuma e rimbursimit

  • Rimbursimi bëhet pa vonesë dhe jo më vonë se 14 ditë nga dita kur marrim njoftimin tuaj për heqje dorë nga blerja.
  • Kemi të drejtë ta mbajmë rimbursimin derisa ta pranojmë produktin ose derisa të na dërgoni dëshmi që e keni dërguar (dëftesa e postës), cilado prej tyre të ndodhë e para.
  • Kthejmë çmimin e paguar për produktin dhe koston e transportit standard që keni paguar për dërgesën fillestare (në Kosovë transporti është falas). Nëse keni zgjedhur një mënyrë transporti më të shtrenjtë se ajo standarde, diferenca nuk kthehet.
  • Nëse ktheni vetëm një pjesë të porosisë, rimbursohet çmimi i produkteve të kthyera.

4. Kostoja e kthimit

Kostoja e drejtpërdrejtë e dërgimit të produktit te ne paguhet nga blerësi. Përjashtim: kur produkti ka defekt, është dëmtuar gjatë transportit ose ju kemi dërguar produkt të gabuar – në këto raste kostoja e dërgimit na takon neve dhe ju rimbursohet bashkë me shumën tjetër, ose e organizojmë ne marrjen e pakos.

5. Gjendja e produktit të kthyer

Produktin mund ta hapni dhe ta provoni aq sa është e nevojshme për të kuptuar natyrën, karakteristikat dhe funksionimin e tij – pra aq sa do ta provonit në dyqan. Nëse produkti kthehet me vlerë të zvogëluar për shkak të trajtimit përtej kësaj (gërvishtje, shenja përdorimi, pjesë që mungojnë, paketim i dëmtuar qëllimisht, konfigurime ose llogari të lidhura që nuk janë hequr), mund të zbresim nga rimbursimi shumën që i përgjigjet uljes së vlerës. Në këtë rast ju njoftojmë me shkrim para rimbursimit, me arsyen, shumën dhe foto.

Para kthimit, ju lutemi hiqni llogaritë, fjalëkalimet dhe të dhënat personale nga pajisja (p.sh. telefona, ora të mençura, kamera me aplikacion).

6. Produktet që nuk mund të kthehen

Sipas nenit 49 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, e drejta e heqjes dorë nga blerja nuk vlen për:

  • Produktet higjienike dhe të kujdesit personal që dorëzohen të mbyllura dhe të cilave u është hapur mbyllja ose paketimi pas dorëzimit, për arsye të mbrojtjes së shëndetit dhe higjienës. Këtu hyjnë: makinat e rrojës dhe të qethjes, trimerët dhe setet për berberë, thikat dhe kokat rezervë, pajisjet e flokëve (tharëse, drejtuese, kaçurruese, furça elektrike), furçat elektrike të dhëmbëve, masazhuesit, peshoret personale dhe kufjet që vendosen brenda veshit (in-ear / TWS).
  • Produktet e bëra ose të konfiguruara sipas kërkesës ose specifikimeve tuaja.
  • Programet kompjuterike, lojërat video dhe regjistrimet audio/video në paketim të mbyllur, nëse mbyllja është hapur pas dorëzimit, si dhe kodet dhe licencat digjitale të aktivizuara.
  • Kartat dhuratë.

Produktet higjienike dhe të kujdesit personal nuk kanë garanci tregtare nga DarTech. Kjo nuk prek të drejtën tuaj ligjore për produkt që vjen me defekt fabrike ose që nuk përputhet me përshkrimin (pika 7).

7. Produkt me defekt ose që nuk përputhet me përshkrimin

Si shitës, përgjigjemi për çdo mospërputhje të produktit me kontratën që ekziston në momentin e dorëzimit dhe që shfaqet brenda 2 vjetëve nga dorëzimi. Kjo përgjegjësi vlen për të gjitha produktet, është e pavarur nga garancia e prodhuesit dhe nuk mund të kufizohet me kontratë.

  • Si ta raportoni: na shkruani sa më shpejt pasi e vëreni problemin, me numrin e porosisë, përshkrimin e problemit dhe, nëse mundeni, foto ose video.
  • Dërgimi i produktit: ju udhëzojmë si ta dërgoni ose e organizojmë ne marrjen. Kostoja e transportit për produktin me defekt, në të dy drejtimet, është në ngarkimin tonë.
  • Kontrolli: produktin e kontrollojmë vetë ose në servisin e autorizuar dhe ju njoftojmë për rezultatin.
  • Zgjidhjet: në radhë të parë riparim ose zëvendësim me të njëjtin produkt, pa pagesë. Nëse kjo nuk është e mundur, nuk bëhet brenda një afati të arsyeshëm ose ju shkakton shqetësim të konsiderueshëm, keni të drejtë për ulje çmimi ose për zgjidhje të kontratës dhe kthim të parave me transfer bankar. Mund t'ju ofrojmë edhe një produkt tjetër me vlerë të njëjtë ose më të lartë, nëse ju pajtoheni.

8. Dëmtimet gjatë transportit

Kur e pranoni pakon, ju lutemi kontrolloni që paketimi të mos jetë i dëmtuar. Nëse paketimi ose produkti është i dëmtuar, bëni foto dhe na njoftoni menjëherë, mundësisht brenda 24 orëve. Njoftimi i shpejtë na ndihmon ta zgjidhim me transportuesin; afati nuk i kufizon të drejtat tuaja të pikës 7.

9. Garancia e prodhuesit

  • Disa produkte kanë garanci nga prodhuesi. Kohëzgjatja dhe kushtet shënohen në faqen e produktit dhe/ose në fletën e garancisë që vjen në pako. Nëse një produkt nuk ka të shënuar garanci prodhuesi, për të vlen përgjegjësia ligjore e pikës 7.
  • Për të përdorur garancinë e prodhuesit na kontaktoni ne: ju udhëzojmë ose e dërgojmë produktin te servisi i autorizuar.
  • Ruani faturën/konfirmimin e porosisë dhe fletën e garancisë.
  • Garancia e prodhuesit ju jepet përveç të drejtave ligjore, jo në vend të tyre.

10. Çfarë nuk mbulon garancia

  • Dëmtimet nga përdorimi i gabuar ose në kundërshtim me udhëzimet, rëniet, goditjet, thyerjet dhe lëngjet (përveç kur produkti deklarohet i qëndrueshëm ndaj ujit dhe dëmi është brenda nivelit të deklaruar).
  • Konsumimi normal nga përdorimi (p.sh. dobësimi natyral i baterisë, konsumimi i thikave dhe i kokave të rrojës).
  • Hapja, riparimi ose modifikimi i produktit nga persona të paautorizuar.
  • Përdorimi me karikues, kabllo ose tension elektrik të papërshtatshëm.

11. Anulimi i porosisë para dërgimit

Porosinë mund ta anuloni pa asnjë kosto derisa të mos jetë nisur. Na shkruani në email ose WhatsApp me numrin e porosisë.

12. Kontakti dhe ankesat

New Dartech Holding SH.P.K · Flaka e Janarit nr. 1, 10000 Prishtinë · online@dartech-ks.com · +383 48 74 68 68.
Nëse nuk jeni të kënaqur me zgjidhjen tonë, mund të paraqitni ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë) ose t'i drejtoheni gjykatës kompetente.

Formulari i heqjes dorë nga blerja

Plotësojeni dhe dërgojeni vetëm nëse doni të hiqni dorë nga blerja (mund ta kopjoni në email).

Për: New Dartech Holding SH.P.K, Flaka e Janarit nr. 1, 10000 Prishtinë, online@dartech-ks.com

Me këtë njoftoj se heq dorë nga kontrata e blerjes për produktin/et e mëposhtëm:
___________________________________________

Numri i porosisë: __________   Porositur më: __________   Pranuar më: __________

Emri dhe mbiemri: ______________________   Adresa: ______________________

Llogaria bankare për rimbursim – mbajtësi: __________ Banka: __________ IBAN: ____________________

Data: __________   Nënshkrimi (vetëm për formularin në letër): __________

Shporta

Shporta juaj është bosh

Vazhdo blerjet